
Avionët rusë shkelën hapësirën ajrore estoneze, hera e tretë që Moska cenon NATO-n
Hapësira ajrore e Estonisë është shkelur nga 3 avionë luftarakë rusë.
E shkruan Reuters në faqen e saj duke cituar deklaratat e qeverisë estoneze sipas së cilës tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore estoneze pa autorizim dhe kanë qëndruar aty për një total prej 12 minutash. Por, më pas janë zmbrapsur nga avionët italianë F-35, të NATO-s.
Bëhet fjalë për shkeljen e tretë ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në një kohë të shkurtër, pas inkursioneve të dronëve rusë në Poloni dhe Rumani.
Ministri i Mbrojtjes i vendit e ka cilësuar incidentin “të një brutaliteti të paparë” dhe qeveria synon të dërgojë një notë proteste tek diplomati më i lartë rus në Estoni. Bëhet fjalë për shkeljen e tretë ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në një kohë të shkurtër, pas inkursioneve të dronëve rusë në Poloni dhe Rumani
Ishin avionët italianë F-35, brenda forcave të NATO-s, ato që kanë ndaluar shkeljen e hapësirës ajrore estoneze nga tre avionë luftarakë rusë. Kështu shkruan Politico, duke cituar burime të informuara. MiG-31, interceptues të rëndë të aftë të transportojnë raketën hipersonike ruse Kinzhal, kanë përshkuar rreth pesë milje detare brenda territorit estonez dhe ishin drejtuar drejt kryeqytetit Tallinn, sipas raportimeve.
Lajmi u konfirmua nga vetë NATO.
«Sot disa avionë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore estoneze. NATO reagoi menjëherë dhe ka interceptuar avionët rusë. Ky është shembulli i një tjetër sjelljeje të pakujdesshme të Rusisë dhe i kapacitetit të përgjigjes aleate», deklaron Aleanca.
Komisioni Evropian ka propozuar që Bashkimi Evropian të përshpejtojë ndalimin e importeve të gazit nga Rusia, bëri të ditur Përfaqësuesja për politikën e jashtme të bllokut, Kaja Kallas. «Qëllimi ynë është të përshpejtojmë eliminimin gradual të GNL rus nga tani deri më 1 janar 2027», ka shkruar ajo në X.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë. Presidentja e KE-së, Von der Leyen njoftoi sanksione dhe ngrirje të aseteve të Gazprom dhe Rosneft. Masa kundër kriptovalutave janë ndërmarrë gjithashtu për herë të parë. Aktualisht, 8 vende të Evropës, Belgjika, Holanda, Franca, Spanja, Portugalia, Greqia, Sllovakia dhe Hungaria importojnë ende gaz natyror rus, ndërsa për naftën nuk njoftohet një listë e tillë.
Po ashtu, raportohet se SHBA-të kanë miratuar një shitje prej 780 milionë dollarësh të raketave dhe sistemeve lëshuese antitank Javelin për Poloninë, në hapësirën ajrore të së cilës hynë disa dronë rusë.
"Kjo shitje e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke rritur sigurinë e një aleati të NATO-s që është një forcë për stabilitet politik dhe ekonomik në Evropë", tha në një deklaratë Agjencia e SHBA-së për Bashkëpunim dhe Siguri të Mbrojtjes (DSCA).
Ky vendim është dërguar në Kongres, që pritet të japë edhe miratimin përfundimtar për transaksionin.
Rusia vijoi sulmet gjatë natës në Ukrainë, duke përdorur 86 dronë Shahed, Gerbera dhe të tjerë. 71 prej këtyre dronëve u rrëzuan nga njësitë e mbrojtjes ajrore, ndërsa 15 të tjerët goditën objektivat e tyre. Sipas raportimeve, në Kiev, sulmet dëmtuan rrjetin e trolejbusëve të kryeqytetit ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi për sulmet, teksa tha se Moska po shënjestron gjithnjë e më shumë civilët, dhe se bota duhet të marrë një "vendim vendimtar" për ta detyruar të ulet për diplomaci.
"Në tryezë janë marrëveshjet për dronët dhe prokurimin e armëve që Ukraina i ka propozuar Shteteve të Bashkuara. Nevojitet veprim vendimtar që edhe Rusia të pranojë më në fund diplomacinë.", tha Zelensky. /Shqiptarja
Më të lexuarat








